SPAK dhe Policia e Shtetit zhvilluan këtë të premte një megaoperacion kundër dy grupeve kriminale të akuzuara për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash, duke ekzekutuar një pjesë të 20 masave të sigurisë të lëshuara nga GJKKO.

Sipas hetimeve, grupet drejtoheshin nga Alfredo Hamzai dhe Luçiano Koçeku, të cilët dyshohet se kontrollonin të gjithë zinxhirin e trafikut të drogës, nga furnizimi në Amerikën Latine deri te shpërndarja në tregjet europiane.

Prokuroria thotë se kokaina transportohej nga Kolumbia, Ekuadori, Paraguaji dhe vende të tjera të Amerikës Latine drejt Europës, e fshehur në ngarkesa qymyri, paste frutash, mishi dhe produkte të tjera tregtare. Më pas përpunohej në laboratorë të ngritur në Amerikën Latine ose Europë dhe shpërndahej në vende si Belgjika, Holanda, Italia, Zvicra dhe Britania e Madhe.

Në qendër të hetimit janë edhe disa biznesmenë të njohur. Mes tyre është ndërtuesi Ilir Shtufi, për të cilin SPAK dyshon se ka shërbyer si hallkë e rëndësishme në pastrimin e parave të grupit të Luçiano Koçekut përmes kompanive të ndërtimit dhe investimeve në pasuri të paluajtshme.

Në dosje përfshihet edhe Artur Shehu, pronar i një pjese të konsiderueshme të tokave në Zvërnec, si dhe Orest Sota, emër i njohur për drejtësinë që prej arrestimit të vitit 2017 me 863 mijë euro në automjetin e tij.

Sipas SPAK, grupet kriminale kanë investuar fitimet nga trafiku i drogës në kompani ndërtimi, prona, troje dhe aktivitete të tjera biznesi. Vetëm në këtë operacion janë sekuestruar paraprakisht pasuri që dyshohet se kapin vlerën e mbi 100 milionë eurove.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu përdorimin e platformave të koduara të komunikimit, laboratorëve të kokainës në Amerikën Latine dhe një rrjeti logjistik që përfshinte kompani transporti, agjenci udhëtimi dhe biznese të ndryshme në Shqipëri dhe jashtë saj.

Biznesmeni Ilir Shtufi është arrestuar në Greqi këtë pasdite.
Shtufi, i njohur në sektorin e ndërtimit, dyshohet se ka bashkëpunuar me grupin kriminal të drejtuar nga vëllezërit Koçeku nga Kamza, duke pastruar para të përfituara nga trafiku i kokainës.

Arrestimi i Shtufit në Greqi pritet të pasohet nga procedurat e ekstradimit drejt Shqipërisë, ku ai do të përballet me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu