
Autoritetet amerikane kanë konfirmuar rastin e parë pas gjashtë dekadash të parazitit Cochliomyia hominivorax, i njohur si “krimbi i Botës së Re” ose “krimbi mishngrënës”, i cili ushqehet me inde të gjalla të kafshëve.
Rasti është identifikuar në një viç vetëm tre javësh në qarkun Zavala të shtetit të Teksasit, duke ngritur alarmin tek autoritetet veterinare dhe sektori blegtoral amerikan.
Sipas Departamentit Amerikan të Bujqësisë (USDA), infektimi është zbuluar dhe izoluar në kohë, ndërsa deri tani nuk janë raportuar raste të tjera të lidhura me të.
Përhapja e parazitit ishte konsideruar e zhdukur në Shtetet e Bashkuara që prej vitit 1966, por që nga fundi i vitit 2024 autoritetet kishin raportuar disa vatra pranë kufirit me Meksikën, duke shtuar kontrollet për importin e bagëtive.
Menjëherë pas zbulimit të rastit, autoritetet e Teksasit krijuan një qendër emergjente koordinimi dhe vendosën masa të forta kontrolli, përfshirë karantina, kufizime lëvizjeje dhe një zonë mbrojtëse prej 20 kilometrash rreth vendit ku u konstatua infektimi.
Sipas ekspertëve, paraziti zhvillohet nga një mizë me ngjyrë të gjelbër metalike. Femra mund të lëshojë deri në 4 mijë vezë në plagët e kafshëve me gjak të ngrohtë. Pasi çelin, larvat depërtojnë në plagë dhe ushqehen me indet e gjalla të organizmit pritës.
Edhe pse objektivat kryesorë janë bagëtitë dhe kafshët shtëpiake, literatura mjekësore njeh raste të infektimit edhe tek njerëzit. Gjendja njihet si miazë kutane dhe mund të prekë lëkurën, hundën, gojën, sytë, veshët apo pjesë të tjera të trupit.
Simptomat përfshijnë dhimbje të forta, temperaturë, kruajtje, sekrecione purulente dhe praninë e larvave në plagë. Në shumë raste shfaqen edhe infeksione bakteriale dytësore.
Autoritetet amerikane theksojnë se nuk ekziston rrezik për zinxhirin ushqimor, pasi paraziti nuk infekton mishin, frutat apo produktet e tjera të destinuara për konsum.
Qeveria amerikane ka deklaruar se objektivi kryesor është zhdukja e menjëhershme e parazitit përpara se ai të përhapet dhe të kërcënojë industrinë blegtorale të vendit.






