Pas rreth katër orësh, është mbyllur protesta e shtatë kundër investimit turistik në Zvërnec, e zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë.

Tubimi u mbajt para godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj projektit dhe përsëritën kërkesat drejtuar qeverisë.

Menjëherë pas përfundimit të fjalimeve, mijëra pjesëmarrës nisën një marshim në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke vijuar protestën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Me dritat e telefonave të ndezura dhe nën tingujt e këngës “Dua më shumë Shqipërinë”, turma marshoi drejt qendrës së Tiranës.

Organizatorët kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Më herët gjatë ditës, protestuesit u mblodhën edhe në zonën e Zvërnecit, ndërsa në mbrëmje protesta u zhvendos në Tiranë.

Manifestime kundër projektit u zhvilluan paralelisht edhe në qytete të tjera dhe jashtë vendit. Protesta u raportuan në Shkodër dhe në Athinë, ku sipas raportimeve morën pjesë shqiptarë, grekë dhe palestinezë që kërkuan anulimin e projektit.

Aktivitete mbështetëse u organizuan gjithashtu nga diaspora shqiptare në Itali, Gjermani, Uashington DC dhe New York.

Protestuesit kanë paralajmëruar vijimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur në kërkesat e tyre ndaj qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu