
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestën kundër projektit në Zvërnec, duke deklaruar se Shqipëria nuk do të mbetet peng i atyre që, sipas tij, shohin kudo armiq imagjinarë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi mesazhin e tij si një “video-kartolinë të pazakonshme nga Shqipëria e shqiptarëve”, ndërsa tha se qeveria do të vijojë punën mbi bazën e mandatit të marrë në zgjedhjet e fundit.
“Shqipëria do bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar”, shkroi Rama, duke iu referuar mbështetjes së marrë nga qytetarët brenda dhe jashtë vendit.
Kryeministri shtoi se vendi nuk mund të mbahet peng nga ata që, sipas tij, e kthejnë atdhedashurinë në podium për akuza, sharje dhe armiq imagjinarë.
Reagimi vjen në një kohë kur protesta kundër projektit në Zvërnec vijon të mbetet në qendër të debatit publik, pas kundërshtimeve të banorëve dhe aktivistëve për zhvillimin e zonës.






