Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar nga Prishtina se Shqipëria mbetet plotësisht në krah të Kosovës, duke përsëritur se siguria dhe e ardhmja e saj janë çështje me interes kombëtar.

“Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë”, është shprehur Hoxha gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë, ku zhvilloi takime me ushtruesen e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme Glauk Konjufca.

Gjatë takimeve u diskutua për koordinimin e politikës së jashtme, zbatimin e marrëveshjeve të përbashkëta dhe forcimin e bashkëpunimit institucional mes dy vendeve.

Hoxha theksoi se Kosova mbetet prioritet absolut i politikës së jashtme shqiptare dhe se Tirana do të vijojë mbështetjen për anëtarësimin e saj në NATO, Bashkimin Evropian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Në takimin me Vjosa Osmanin u diskutua për koordinimin diplomatik dhe mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa me Albin Kurtin u vu theksi te zbatimi i marrëveshjeve të përbashkëta dhe bashkëpunimi në energji, diplomaci dhe infrastrukturë.

Nga ana e tij, Kurti e cilësoi bashkërendimin mes Kosovës dhe Shqipërisë si një detyrë kombëtare, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivel të shkëlqyer.

Ndërsa në takimin me Glauk Konjufcën, fokusi ishte te proceset euroatlantike të Kosovës dhe mbështetja e Shqipërisë për avancimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Vizita u mbyll me mesazhin se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë mbeten strategjike dhe të pandashme, me fokus forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, stabilitetin rajonal dhe integrimin euroatlantik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu