
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Zvërnec, duke paralajmëruar se të dielën do të flasë publikisht për projektin që ka shkaktuar debate dhe protesta në zonë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi investimin si një “projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë”, duke theksuar se puna për të ka nisur prej vitesh dhe se nuk ka asnjë lidhje me pretendimet që, sipas tij, janë hedhur në qarkullim ditët e fundit.
“Nesër e kam radhën unë për të folur për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për të cilin punohet prej disa vitesh tanimë dhe i cili nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha, që janë hedhur në qarkullim ditët e fundit”, shkruan Rama.
Kryeministri komentoi edhe reagimin e Policisë së Shtetit pas incidentit gjatë protestës në Zvërnec, ku u pezullua drejtori i Policisë së Vlorës pas pranimit të një raportimi të pasaktë.
Rama përgëzoi lidershipin e Policisë së Shtetit për, sipas tij, reagimin e shpejtë dhe korrekt, si ndaj punonjësve të sigurisë private të përfshirë në incident, ashtu edhe ndaj drejtuesve vendorë të policisë.
“Qasja e re e tolerancës zero ndaj çdo uniforme blu që cenon besimin e publikut, është e duhura”, theksoi ai.
Në fund të mesazhit, Rama njoftoi se do të zhvillojë një komunikim live në orën 10:00 për të sqaruar publikisht projektin dhe polemikat që e kanë shoqëruar.






