Azem Hajdari, djali i liderit historik të lëvizjes studentore dhe ish-deputetit të ndjerë demokrat, ka bërë thirrje që shqiptarët t’i japin edhe një mundësi Partisë Demokratike për të qeverisur vendin, duke argumentuar se kjo forcë politike ka sjellë disa nga arritjet më të rëndësishme të Shqipërisë në 35 vitet e fundit.

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së, Hajdari tha se demokratët kanë dëshmuar ndër vite se nuk janë një parti interesash, por një forcë e ndërtuar mbi idealet dhe sakrificën.

“Partia Demokratike nuk ka qenë ndonjëherë me xhepa të mbushur dhe interesa biznesi. Ka qenë me zemrën plot dhe me idealin për t’i shërbyer vendit”, u shpreh ai.

Hajdari renditi si arritje kryesore të qeverisjeve demokrate anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian.

“Një nga gjërat që bëri Partia Demokratike është që e futi Shqipërinë në NATO, që ne sot flemë rehat dhe zgjohemi rehat. Po ashtu, shqiptarët mund të udhëtojnë lirshëm në Europë pa pengesat që ekzistonin dikur”, tha ai.

Sipas Hajdarit, demokratët ndërtuan gjithashtu infrastrukturën kryesore të vendit dhe krijuan kushte më të favorshme për biznesin dhe ekonominë.

Ai kritikoi modelin aktual të zhvillimit ekonomik, duke pretenduar se ndërtimet e shumta të kullave nuk përfaqësojnë ekonomi të shëndetshme, por shpesh përdoren për strehimin e parave me origjinë të dyshimtë.

Në fjalimin e tij, Hajdari vlerësoi edhe strukturimin e ri të Partisë Demokratike, duke theksuar përfshirjen e të rinjve dhe organizimin që sipas tij i ngjan partive moderne euroatlantike.

Duke iu drejtuar shqiptarëve, ai kërkoi një mandat të ri për demokratët.

“Mendoj që të gjithë shqiptarët duhet t’i japin mundësinë Partisë Demokratike për të bërë turnin e saj të radhës heroik. Nëse PD do ta kishte sot në dorë qeverinë, Shqipëria do të arrinte nivele që nuk i ka parë kurrë më parë”, deklaroi Hajdari.

Në fund të fjalës së tij, ai falënderoi demokratët për angazhimin dhe tha se do të vazhdojë të japë kontributin e tij në strukturat e partisë, pasi kandidon për anëtar të Këshillit Kombëtar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu