
Qindra studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut protestuan sot në Tiranë në mbështetje të studentëve shqiptarë në RMV, duke kërkuar zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Tubimi u zhvillua para ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë, ku studentët mbajtën pankarta dhe mesazhe në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar.
Gjatë protestës, studentët deklaruan se nuk do të ndalen derisa kërkesat e tyre të realizohen.
“Sot nuk jemi mbledhur këtu thjesht për një protestë, por për dinjitetin tonë kombëtar dhe për gjuhën shqipe që është identiteti ynë”, u shpreh një nga studentët pjesëmarrës.
Një tjetër student akuzoi autoritetet maqedonase për presion psikologjik ndaj të rinjve shqiptarë dhe tha se studentët në RMV nuk janë vetëm.
“Ata menduan se studentët shqiptarë në RMV janë vetëm, por harruan se një Shqipëri e tërë i ka sytë mbi ta”, deklaroi ai.
Pjesë e protestës ishte edhe gazetari Marin Mema, i cili mbajti një fjalim me tone nacionaliste, duke theksuar se kombi është mbi çdo ndarje politike.
“Kombi është mbi çdo parti. Ngjyrat kuqezi janë mbi çdo ngjyrë tjetër”, tha Mema para protestuesve.
Ai shtoi se shqiptarët do të vazhdojnë të mbrojnë identitetin kombëtar dhe gjuhën shqipe.
“Do të luftojmë çdo ditë për Shqipërinë dhe çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare”, deklaroi gazetari.
Protesta vjen pas debatit të krijuar në Maqedoninë e Veriut për kërkesën e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.






