Kryeministri Edi Rama është pritur me ceremoni shtetërore dhe gardë nderi në Tokio nga kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Japoni.

Gjatë takimit, dy liderët vlerësuan marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Japonisë, ndërsa u theksua forcimi i bashkëpunimit ekonomik, diplomatik dhe kulturor mes dy vendeve.

Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi deklaroi se Shqipëria është një partner i rëndësishëm që ndan vlera dhe parime të përbashkëta me Japoninë, duke konfirmuar mbështetjen e Tokios për integrimin europian të vendit tonë.

“Japonia do të vijojë të mbështesë fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh Takaichi gjatë deklaratës së përbashkët.

Ajo vlerësoi gjithashtu rolin e Shqipërisë në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen shqiptare ndaj strategjisë japoneze për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur.

Nga ana e tij, Rama e cilësoi ceremoninë e pritjes si “vërtet të veçantë”, ndërsa tha se marrëdhëniet Shqipëri-Japoni bazohen mbi vlera të përbashkëta për botën që të dy vendet duan të ndërtojnë.

Kryeministri shqiptar konfirmoi gjithashtu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për strategjinë japoneze në Indo-Paqësor dhe ftoi homologen japoneze të marrë pjesë në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Tiranë vitin e ardhshëm.

Sipas Ramës, kjo do të ishte vizita e parë shtetërore e një kryeministri japonez në Shqipëri.

Në fund të fjalës së tij, Rama përgëzoi Takaichin për fitoren dhe drejtimin e qeverisë japoneze, duke e cilësuar të veçantë faktin që një grua drejton ekzekutivin në Japoni.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu