Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për shkelje të Kushtetutës dhe shpërdorim të parave publike, gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Kuvendit.

Berisha deklaroi se mungesa e Ramës në interpelancat parlamentare përbën shkelje të nenit 80 të Kushtetutës dhe cenon rendin kushtetues në vend.

“Për të tetën apo të dhjetën herë shkelen në Parlament neni 80 i Kushtetutës, i cili detyron kryeministrin të paraqitet në interpelancë kur deputetët e kërkojnë për interesat e qytetarëve”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, kryeministri shmang përballjen në Kuvend për shkak të problemeve dhe akuzave që rëndojnë mbi qeverinë.

“Kreu i ekzekutivit, i tmerruar nga veprat e tij, nuk guxon të dalë në këtë platformë para qytetarëve dhe deputetëve”, deklaroi lideri demokrat.

Berisha akuzoi gjithashtu Ramën për luks dhe shpenzime të pajustifikuara në një kohë kur, sipas tij, qytetarët shqiptarë po përballen me varfëri në rritje.

“Shqiptarët rrokullisen çdo muaj edhe më shumë në varfëri. Ai fluturon në dy vite 23 milionë euro me avion taksi”, tha Berisha.

Ai pretendoi se udhëtimi i fundit i kryeministrit me avion privat ka kushtuar rreth 300 mijë euro, ndërsa shtoi se Parlamenti po pengohet të hetojë këto shpenzime.

Deklaratat e Berishës vijnë në një klimë të tensionuar politike mes mazhorancës dhe opozitës, ku debatet për transparencën, kontrollin parlamentar dhe përdorimin e fondeve publike kanë dominuar seancat e fundit në Kuvend.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu