
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, deklaroi jashtë sallës së Kuvendit se Shqipëria ndodhet në një moment historik të procesit të integrimit europian, ndërsa Bashkimi Europian pritet të avancojë me miratimin e raportit të IBAR-it dhe me konferencën e ardhshme ndërqeveritare.
Balla tha se Shqipëria po përmbyll një javë të rëndësishme, ku procesi kalon nga grupi i punës COELA te Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm, COREPER, duke vlerësuar si “kolosale” punën e bërë nga institucionet shqiptare për përmbushjen e piketave të ndërmjetme.
“U identifikuan më shumë se 92 hendeqe, pra problematika që duheshin adresuar. Kapitujt 23 dhe 24 janë ndër më të rëndësishmit në procesin e anëtarësimit dhe Shqipëria sot konsiderohet model për reformën në drejtësi dhe vetingun”, deklaroi Balla.
Sipas tij, vlerësimet që vijnë nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, veçanërisht nga Gjermania, tregojnë se reforma në drejtësi në Shqipëri po rekomandohet si shembull edhe për vende të tjera aspirante, si Moldavia.
Ai u ndal edhe te propozimi i Italisë dhe Austrisë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku përmenden Shqipëria dhe Mali i Zi si vendet pararendëse. Balla tha se edhe kancelari gjerman ka konfirmuar mbështetjen për një proces anëtarësimi me faza.
“Ambicia jonë është të mbyllim negociatat deri në fund të vitit 2027. Më pas nis procesi i ratifikimit nga vendet anëtare, i cili kërkon kohë dhe procedura parlamentare”, u shpreh ai.
I pyetur nga gazetarët për raportin e IBAR-it dhe pretendimet për kërkesa shtesë ndaj qeverisë shqiptare, Balla deklaroi se në raportet europiane nuk trajtohen çështje me emra konkretë, por standarde dhe institucione.
“Besimi është tek drejtësia. Të gjitha vendet anëtare e rekomandojnë reformën në drejtësi në Shqipëri si model për vendet e tjera”, tha ai.
Balla konfirmoi gjithashtu se është tërhequr nga propozimi për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale që kishte shkaktuar debat publik, duke shtuar se çdo ndryshim ligjor do të konsultohet me Bashkimin Europian.
“Në këtë fazë çdo ligj dhe çdo reformë konsultohet me Komisionin Europian. Ne i kemi sytë nga Europa”, deklaroi ai.
Në fund, Balla vlerësoi edhe dakordësinë mes mazhorancës dhe opozitës për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, duke thënë se “fitoi parlamentarizmi” dhe se opozita duhet të ketë hapësirën e saj në funksion të standardeve demokratike që kërkon procesi i integrimit.



