
Me tone ironike dhe akuza të forta, deputeti demokrat Saimir Korreshi ngriti në Kuvend shqetësimet për gjendjen e Spitalit të Lushnjës gjatë interpelancës me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala.
Korreshi tregoi atë që e cilësoi si mëngjesin e pacientëve në spital dhe akuzoi ministrinë për zhvendosjen e shërbimeve në ambiente të papërshtatshme.“Pse keni zhvendosur godinën e spitalit Lushnjë dhe e latë prej 8 muajsh në një qenefhane, ku është dhe sot?”
Deputeti demokrat ngriti shqetësimin edhe për mungesën e pajisjeve dhe medikamenteve, ndërsa iu referua një raporti ku, sipas tij, janë evidentuar mbi 100 milionë lekë ilaçe të skaduara.“Pyetje e drejtpërdrejtë nga qytetarët e Lushnjes, çfarë bën ministrja e Shëndetësisë? Rri në aeroplan apo duhet të shikojë edhe spitalet që ka në varësi?”
Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, deklaroi se opozita po përdor shëndetësinë për propagandë politike dhe mbrojti investimet në Spitalin e Lushnjës.“Shëndetësia nuk mund të përdoret si skenë për propagandë frike apo për të nxirë çdo investim që bëhet vetëm për disa kredi politike të momentit.”
Ministrja sqaroi se Spitali i Lushnjës është pjesë e programit kombëtar të investimeve në infrastrukturën spitalore dhe se punimet kanë nisur që në muajin mars.“Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë, të investojmë duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit.”
Sipas ministres, fondi për rikonstruksionin e spitalit arrin në rreth 82 milionë lekë për vitin 2026 dhe mbi 236 milionë lekë të tjera janë planifikuar për vitin 2027, ndërsa shërbimet po vijojnë në ambientet funksionale të spitalit gjatë ndërhyrjeve.






