
Raporti i Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme, i njohur si IBAR, ndezi debatet në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, iu përgjigj akuzave të Partisë Demokratike duke deklaruar se procesi i negociatave me Bashkimin Europian vijon dhe nuk ka ngecur.
Sipas Gogut, Shqipëria ka dorëzuar mijëra faqe dokumentesh në Bruksel për ecurinë e reformave dhe progresin e vendit, ndërsa opozita, sipas tij, ka prodhuar vetëm akuza.“Gjatë kohës që kolegët e Ministrisë së Drejtësisë punonin që shteti të progresonte dhe çonin 8 mijë faqe, ju keni kontribuar në 8 mijë akuza të ngecjes së progresit.”
Ministri akuzoi opozitën për, siç tha ai, “smirë ndaj progresit të Shqipërisë” dhe shtoi se negociatat janë një proces dinamik që vijon në grupet e punës të Bashkimit Europian.
Por deputetja demokrate Albana Vokshi kundërshtoi deklaratat e ministrit, duke e akuzuar atë se ka shpërndarë informacion të pavërtetë lidhur me raportin IBAR.“Ministri Gogu doli në konferencë dhe dha lajmin e mirë që raporti i IBAR ishte miratuar. Të paktën tre vende anëtare kanë pasur probleme me grupkapitullin e parë dhe nuk e kanë miratuar.”
Vokshi deklaroi se ministri duhet të kërkojë falje publike, duke shtuar se opozita ka mbështetur rezolutën për integrimin europian, por nuk mund të pranojë, sipas saj, “manipulimin e opinionit publik”.
Debati për raportin IBAR vjen në një moment kur Shqipëria pret avancimin e mëtejshëm të negociatave me Bashkimin Europian dhe diskutimet në strukturat e BE-së për grupkapitullin e parë të negociatave.






