
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas akuzave për mungesë reagimi ndaj protestës së studentëve shqiptarë në Shkup, të cilët kërkojnë të drejtën për zhvillimin e provimeve të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në një reagim për mediat, MEPJ i cilësoi “të pavërteta dhe të padrejta” pretendimet për indiferencë të shtetit shqiptar, duke theksuar se ka pasur angazhim të vazhdueshëm diplomatik dhe institucional në mbështetje të studentëve.
Sipas zëdhënësit të ministrisë, Alteo Hysi, Ambasada shqiptare në Shkup ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me studentët dhe me zhvillimet në terren, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë është takuar personalisht me ta për të dëgjuar shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
Kryediplomacia shqiptare solli në vëmendje edhe reagimin publik të ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, i cili mbështeti kërkesën e studentëve për përdorimin e gjuhës shqipe, duke theksuar se ajo është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta dhe ligjet e Maqedonisë së Veriut.
Ministria nënvizoi se diplomacia nuk zhvillohet vetëm përmes deklaratave publike apo rrjeteve sociale, por edhe përmes kontakteve institucionale dhe komunikimeve zyrtare, me synim arritjen e rezultateve konkrete.
Reagimi vjen në një moment tensionesh politike dhe mediatike, pas raportimeve për presion ndaj ambasadorit shqiptar në Shkup, Denion Meidani, i cili kishte mbështetur publikisht protestën e studentëve shqiptarë.






