
Klidman Lilo pritet të jetë risia më e re e Kombëtares shqiptare për ndeshjet miqësore të muajit qershor.
Sipas mediave sportive në Greqi, portieri i OFI Kretës ka bindur trajnerin Sylvinho, i cili pritet ta ftojë për herë të parë në ekipin A të Shqipërisë.
Lilo, i lindur në Athinë dhe me origjinë nga Erseka, ka qenë më herët pjesë e përfaqësueseve U-20 dhe U-21 të Shqipërisë, ku numëron 10 paraqitje.
Portieri shqiptar është produkt i akademisë së Panathinaikosit dhe sezonin e fundit u transferua te OFI Kreta, skuadër me të cilën fitoi edhe Kupën e Greqisë.
Ai ishte protagonist në finalen ndaj PAOK-ut, të fituar me penallti, duke tërhequr vëmendjen e stafit kuqezi.
Te OFI më herët ka luajtur edhe ish-portieri legjendar i Kombëtares shqiptare, Arjan Beqaj.
Ndërkohë, raportimet flasin se kjo mund të jetë edhe risia e fundit e Sylvinhos në krye të Kombëtares, pasi trajneri brazilian ende nuk ka rinovuar kontratën që i përfundon në korrik dhe pritet të largohet pas dy miqësoreve të qershorit.
Shqipëria do të luajë në “Air Albania” ndaj Izraelit më 3 qershor dhe kundër Luksemburgut më 6 qershor.



