Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës zyrtare në Estoni, vizitoi Qendrën e Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese të NATO-s (CCDCOE), një nga strukturat më të rëndësishme të Aleancës për sigurinë kibernetike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se Shqipëria është zyrtarisht anëtare e kësaj qendre elitare, e specializuar në mbrojtjen ndaj kërcënimeve digjitale dhe sulmeve kibernetike.

“Shqipëria është anëtare e Qendrës së Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese të NATO-s, një nga strukturat më të rëndësishme të Aleancës për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen ndaj kërcënimeve digjitale”, shkroi Rama.

Anëtarësimi i Shqipërisë u zyrtarizua gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit në selinë e CCDCOE në Tallinn, ku vendi ynë iu bashkua qendrës së bashku me Finlandën dhe Suedinë.

Me hyrjen e tre vendeve të reja, rrjeti ndërkombëtar i ekspertizës kibernetike të NATO-s shkon në 39 vende anëtare dhe partnere.

Sipas qeverisë, ky anëtarësim i jep Shqipërisë mundësi për shkëmbim ekspertize, pjesëmarrje në trajnime dhe stërvitje ndërkombëtare, si dhe bashkëpunim më të ngushtë me ekspertët e sigurisë kibernetike të vendeve aleate.

CCDCOE, e themeluar në vitin 2008 dhe e akredituar nga NATO, konsiderohet një nga qendrat më prestigjioze në botë në fushën e mbrojtjes kibernetike dhe organizon edhe “Locked Shields”, stërvitjen më të madhe globale për mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu