Qenushja që deputeti socialist, Erjon Braçe e ka në foton që shpalosi në foltoren e parlamentit është një e mbijetuar. U hodh në një kazan me zift dhe u shpëtua nga njerëz të mirë.

“Ky është qeni i hedhur në një kazan me zift për të ngordhur atje. Për fat nuk dha shpirt dhe për fat e gjetën njerëz që i duan kafshët,” tha ai, ndërsa shpalosi foto nga rastet e denoncuara.

Por fatkeqësisht ne nuk jemi të gjithë ashtu dhe as kafshët e gjora shpesh nuk janë kaq me fat.

Për barbarizmin ndaj tyre dhe mungesën e ligjit dhe ndërhyrjen e shtetit foli sot në parlament, Braçe.

 

 

Braçe deklaroi se asnjë ministër bujqësie deri më sot nuk është marrë me këtë çështje; keqtrajtimin e tyre dhe helmimet nga bashkia, jo vetëm në Tiranë.

“Helmimi nga autoritetet, që më lejoni t’i quaj barbarë. Nuk ka vdekje më të tmerrshme sesa helmimi. Punë qensh, thonë. Kështu e trajtojnë si punë qensh,” u shpreh ai.

Në fjalën e tij, Braçe kërkoi hartimin e një ligji të ri për mirëqenien e kafshëve, ndryshime në Kodin Penal për të ashpërsuar dënimet ndaj helmimit dhe keqtrajtimit, si dhe krijimin e një sistemi kombëtar sterilizimi dhe regjistrimi të kafshëve.

Ai denoncoi gjithashtu kushtet në strehat publike të kafshëve, duke i cilësuar si “barbari në kufijtë e institucioneve publike”.

“Na duhet ta rrëzojmë këtë mur. Është një mur që na bën me turp të gjithëve si shoqëri,” tha Braçe.

Deputeti paralajmëroi se i është drejtuar Kontrollit të Lartë të Shtetit për të verifikuar ligjshmërinë e procedurave të ndjekura në strehat dhe qendrat e trajtimit të kafshëve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu