Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po bllokon procesin e integrimit europian për të mbrojtur korrupsionin dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Në një prononcim për mediat para Kuvendit, Berisha tha se parlamenti nuk po informohet rregullisht për ecurinë e integrimit, ndonëse ligji detyron qeverinë të raportojë çdo tre muaj.

Sipas tij, raportet për integrimin nuk u janë vënë në dispozicion deputetëve dhe kjo tregon mungesë transparence dhe shmangie të rolit të parlamentit.

“Diskutohet për integrimin pas 8 muajsh në parlament. Ligji e detyron Këshillin e Ministrave të raportojë çdo tre muaj. Deputetët nuk kanë parë me sy asnjë raport,” deklaroi Berisha.

Ai pretendoi se raporti i qeverisë për integrimin është “fund e krye mashtrim”, ndërsa shtoi se problemet kryesore mbeten drejtësia, korrupsioni dhe të drejtat e njeriut.

Berisha tha se pas agresionit rus në Ukrainë ishte krijuar një mundësi për përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, por sipas tij kjo u pengua nga korrupsioni dhe skandalet në Shqipëri.

Kreu i PD-së sulmoi drejtpërdrejt Belinda Ballukun, duke e cilësuar “kryeministre në hije”, ndërsa tha se ajo ka marrë kontrollin real të qeverisë.

“Ky jo që nuk e hoqi, por i dha një rol më të lartë. Ky nuk do integrimin sepse Rama, Lubia dhe një grusht hajdutësh duan pasurimin e tyre,” u shpreh ai.

Berisha komentoi edhe raportin mes Ramës dhe Elisa Spiropali, duke ironizuar mënyrën sesi sipas tij kryeministri sillet ndryshe me Ballukun.

“Misteri është ky: Elisa e quajti Skënderbe dhe e flaku, kurse Lubia i thotë ‘Palloshi i Gjatë’ dhe u bë kryeministre në hije. Është paraja në mes,” deklaroi Berisha.

Ai shtoi se opozita mbështet integrimin europian dhe se rekomandimet e institucioneve europiane do të përdoren si bazë për programin politik të Partisë Demokratike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu