Kryeministri Edi Rama ka replikuar me gazetarin e Euractiv, Eddy Wax, pas publikimit të intervistës së ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha lidhur me marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët.

Debati shpërtheu pasi Euractiv raportoi deklaratat e Hoxhës se marrëveshja nuk do të zgjatet pas vitit 2030, pasi Shqipëria synon të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama akuzoi median për përdorim mashtrues të një citimi të shkurtuar nga intervista.

“Citimi i reduktuar ishte mjaftueshëm mashtrues për këdo që ka një interes të brendshëm ideologjik ta përdorë atë”, shkroi Rama.

Kryeministri ironizoi gjithashtu situatën duke thënë se “është qesharake të krijosh një histori Edi kundër Eddy-t”.

Sipas Ramës, marrëdhënia me Italinë mbetet e pandryshuar.

“Atë që Italia kërkon nga Shqipëria, Italia e merr nga Shqipëria”, deklaroi ai.

Pas reagimit të Ramës, Euractiv publikoi transkriptin e plotë të intervistës së Ferit Hoxhës, ku ministri shprehej:

“Nuk jam i sigurt që do të ketë zgjatje… nuk do të ketë zgjatje sepse ne do të jemi anëtarë të Bashkimit Europian.”

Deklaratat shkaktuan reagime edhe në Itali. Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani tha se “2030 është shumë larg”, ndërsa kryeministrja Giorgia Meloni iu përgjigj Ramës me një mesazh të shkurtër në rrjetet sociale:

“Faleminderit Edi.”

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët mbetet një nga temat më të debatuara në politikën italiane dhe europiane.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu