
Një rast i rëndë dhune mes bashkëmoshatarëve në Gjorçe Petrov po trondit opinionin publik në Maqedoninë e Veriut dhe po hap debat të fortë mbi përgjegjësinë penale të prindërve për sjelljen e fëmijëve të tyre.
Pas keqtrajtimit të një vajze 13-vjeçare, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur gjashtë kallëzime penale ndaj prindërve të të miturve të përfshirë në dhunë.
Sipas autoriteteve, prindërit dyshohen se kanë neglizhuar detyrimin për kujdes dhe edukim, çka sipas prokurorisë ka ndikuar që fëmijët e tyre të ushtrojnë dhunë fizike ndaj 13-vjeçares.
Çështja po trajtohet mbi bazën e nenit 201 të Kodit Penal, që lidhet me “neglizhimin dhe keqtrajtimin e fëmijës”.
Ligji parashikon se prindi, kujdestari apo personi përgjegjës që me neglizhencë të rëndë dështon në edukimin dhe mbikëqyrjen e të miturit, mund të përballet me dënim me burg.
Autoritetet theksojnë se dhuna mes të miturve nuk mund të konsiderohet më “thjesht grindje fëmijësh”, sidomos kur incidentet filmohen, shpërndahen në rrjete sociale dhe sjellin poshtërim publik për viktimat.
Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, rasti i Gjorçe Petrovit konsiderohet një pikë kthese për mënyrën sesi sistemi juridik do të trajtojë në të ardhmen rastet e dhunës mes bashkëmoshatarëve dhe përgjegjësinë e familjeve.






