Qeveria ka miratuar këtë të mërkurë një sërë vendimesh me ndikim në skemën e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë, sektorin e shëndetësisë, projektet infrastrukturore dhe zhvillimin e zonave malore.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se ndryshimet e miratuara synojnë përshpejtimin e procesit të pagesave për ish-të përndjekurit politikë dhe rritjen e fondit të dëmshpërblimit.

Sipas Malajt, qeveria ka vendosur heqjen e pagesave me këste për dëmshpërblimet deri në 1 milion lekë, ndërsa koha mes kësteve do të reduktohet ndjeshëm, nga 2 deri në 2.5 vite që është aktualisht.

Ai deklaroi se objektivi është që brenda 4-5 viteve të mbyllet plotësisht procesi për rreth 6 mijë dosje të mbetura nga mbi 10 mijë që janë në total. Për vitin 2026, fondi për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve do të arrijë në 15 milionë euro.

Ndërkohë, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, njoftoi zgjerimin e Paketës së Maleve me tre bashki të reja: Delvinë, Konispol dhe Pogradec.

Sipas tij, procesi i aplikimeve nga qytetarët ka avancuar në shumicën e bashkive dhe brenda muajit maj pritet të përfundojë miratimi për të gjitha njësitë vendore të përfshira në këtë program.

Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi gjithashtu listat e barnave të rimbursueshme dhe masën e mbulimit të tyre nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, me mbulim nga 50% deri në 100%.

Mes vendimeve të tjera janë edhe krijimi i Platformës Elektronike të Raportimit Financiar (PERF), që do të administrohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, metodologjia për vlerësimin e rrezikut të furnitorëve të rrjetit 5G, si dhe shpronësimet për projektin rrugor “Kashar–Nyja Vaqarr”.

Qeveria miratoi gjithashtu transferimin e disa pronave shtetërore për projekte investimi në Palasë dhe Durrës, si edhe emërimin e Tana Kikës si zëvendësministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ndërsa Blerta Rama u lirua nga detyra e zëvendësministres së Ekonomisë dhe Inovacionit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu