
Sali Berisha u bëri thirrje deputetëve të Partisë Demokratike që të angazhohen maksimalisht për protestën e 8 majit, të cilën e cilësoi si një “kryengritje paqësore” kundër qeverisë.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha deklaroi se opozita nuk e njeh legjitimitetin e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për manipulim zgjedhor dhe presion ndaj kundërshtarëve politikë.
“Çdo minutë duhet t’ia kushtojmë përgatitjes së kryengritjes paqësore të 8 majit”, u shpreh Berisha para deputetëve demokratë, duke e konsideruar protestën si një moment të rëndësishëm për opozitën dhe qytetarët.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te raporti i miratuar në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë, për të cilin tha se do të shërbejë si program pune për Partinë Demokratike.
Sipas tij, raporti përfaqëson një udhërrëfyes të rëndësishëm për integrimin europian të vendit dhe evidenton shqetësimet që lidhen me demokracinë, zgjedhjet dhe shtetin ligjor në Shqipëri.






