
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër në Kuvend pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë, duke akuzuar maxhorancën për lidhje me personat problematikë në komunitete.
Në replikë me deklaratat e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili kërkoi masa më të forta ndaj “të fortëve” të lagjeve, Berisha u shpreh se këta individë janë të lidhur me pushtetin.
Sipas tij, personat që ushtrojnë presion dhe terror në komunitet janë patronazhistë të Partisë Socialiste dhe mbrohen nga qeveria.
“Të fortit janë patronazhistë të poshtër që terrorizojnë qytetarët për pushtetin e krimit. Ai duhej arrestuar 10 herë, por nuk u arrestua asnjëherë sepse ishte terrorist i votave”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se nuk ekzistojnë individë të paprekshëm nga ligji, por sipas tij, ka raste kur persona të caktuar “kanë bërë zap policinë”, duke nënkuptuar ndikim politik në mosveprim.
Berisha akuzoi gjithashtu maxhorancën për mbrojtje të korrupsionit dhe përdorim të pushtetit për interesa politike, duke e cilësuar situatën si të papranueshme.
Deklaratat e tij vijnë në një klimë të tensionuar politike pas tragjedisë në Durrës, e cila ka rikthyer debatin për sigurinë rrugore dhe përgjegjësinë e institucioneve.



