Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, e ka cilësuar tragjedinë e ndodhur në Durrës si “vrasje me dashje” dhe jo si një aksident rrugor, duke kërkuar ndryshime të menjëhershme në Kodin Penal.

Duke folur në Kuvend, Braçe tha se ngjarje të tilla nuk mund të trajtohen si shkelje të rregullave të qarkullimit, por si krime të rënda që duhet të ndëshkohen njësoj si vrasja.

Ai tha se e publikoi videon e ngjarjes makabre për ta parë ngjarjen ashtu siç ndodhi si vrasje.

Sipas tij, një person që drejton mjetin në gjendje të dehur përbën rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e të tjerëve dhe hyn në rrugë “për të vrarë”.

“Nuk është aksident. Është vrasje me dashje. Një i dehur që nget makinën hyn në rrugë për të vrarë”, u shpreh Braçe.

Ai kritikoi mënyrën se si legjislacioni aktual i trajton këto raste, duke theksuar se në shumë situata autorët përfundojnë të proceduar në gjendje të lirë ose lirohen pas pak ditësh, çka sipas tij përbën normalizim të krimit.

Braçe kërkoi nga deputetët që të angazhohen për një reformim të Kodit Penal, ku raste të tilla të klasifikohen si vrasje me dashje dhe të ndëshkohen më ashpër.

Ai shtoi se ngjarje të tilla janë të përsëritura jo vetëm në rrugë kombëtare, por edhe në lagje, duke ngritur shqetësimin për sigurinë e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve.

Deklaratat e tij vijnë pas aksidentit tragjik në Durrës, ku një drejtues mjeti në gjendje të dehur përplasi për vdekje dy fëmijë dhe plagosi një të tretë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu