Hantavirusi, një sëmundje e rrallë por potencialisht vdekjeprurëse, është vënë në qendër të vëmendjes pas një shpërthimi të dyshuar në një anije turistike në Atlantik, ku humbën jetën tre persona dhe disa të tjerë u infektuan.

Sipas ekspertëve, hantavirusi përhapet kryesisht nga brejtësit, përmes kontaktit me urinën, jashtëqitjet apo pështymën e tyre. Rreziku rritet sidomos kur këto materiale thahen dhe shpërndahen në ajër, duke u thithur nga njerëzit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se hetimet për shpërthimin janë ende në vijim, ndërsa po kryhen analiza laboratorike për të konfirmuar llojin e virusit dhe mënyrën e përhapjes.

Në raste të rralla, hantavirusi mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu, por kjo mbetet një formë jo e zakonshme.

Sëmundja zakonisht nis me simptoma të ngjashme me gripin, si temperaturë, dhimbje muskujsh dhe lodhje, por mund të përparojë shpejt në probleme serioze respiratore, ku mushkëritë mbushen me lëngje.

Një nga format më të rënda, sindroma pulmonare nga hantavirusi, ka një shkallë vdekshmërie rreth 35%, ndërsa forma tjetër që prek veshkat ka një vdekshmëri nga 1% deri në 15%.

Aktualisht nuk ekziston një trajtim specifik për këtë virus, por ndërhyrja e hershme mjekësore rrit ndjeshëm shanset për mbijetesë.

Ekspertët këshillojnë shmangien e kontaktit me brejtësit dhe pastrimin me kujdes të ambienteve ku mund të ketë mbetje të tyre, duke përdorur masa mbrojtëse dhe dezinfektues.

Rasti në anijen turistike ka rikthyer vëmendjen ndaj kësaj sëmundjeje të rrallë, për të cilën ende ka shumë të panjohura.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu