
Ka përfunduar afati për dorëzimin e kandidaturave për kreun e Partisë Demokratike, ndërsa procesi është shoqëruar me paqartësi dhe tensione.
Deri në orën 12:00, disa kandidatë kanë tentuar të depozitojnë dokumentacionin për garën e 23 majit, por në selinë blu nuk ka pasur përfaqësues për t’i marrë zyrtarisht. Sipas raportimeve, katër kandidatura janë lënë në recepsion, pa u konfirmuar pranimi i tyre.
Mes emrave që kanë dorëzuar dokumentet janë Alesia Balliu dhe Mereme Sela, ndërsa edhe kandidatura e Ervin Salianjit është depozituar në të njëjtën mënyrë. Ndërkohë, përfaqësuesi i Evi Kokalarit ka tentuar të dorëzojë dokumentet, por ato nuk janë pranuar.
Ende nuk është e qartë se çfarë vendimi do të merret për këto kandidatura dhe nëse ato do të konsiderohen të vlefshme nga strukturat e partisë.
Paralelisht, qarkullojnë zëra se Sali Berisha mund të zgjedhë një alternativë tjetër për legjitimimin e drejtimit të PD-së, përmes një referendumi brenda anëtarësisë, ku demokratët do të pyeten nëse e mbështesin apo jo si kryetar.
Tage:






