Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar me 70 vota pro shfuqizimin e modelit të qeverisë teknike, një praktikë që zbatohej 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Sipas këtij modeli, në prag të zgjedhjeve, ministritë kyçe i kalonin opozitës, ndërsa kryeministri tërhiqej për t’u zëvendësuar nga një kryeministër teknik deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Ndryshimet në Ligjin për Qeverinë u miratuan me shumicë të thjeshtë, ndërsa pati 11 vota kundër. Megjithatë, ato nuk do të hyjnë menjëherë në fuqi dhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zbatohen ende rregullat aktuale, duke përfshirë krijimin e një qeverie teknike.

Modeli i qeverisë teknike e ka origjinën nga Marrëveshja e Përzhinës e vitit 2015, e cila synonte të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme në një klimë politike të tensionuar.

Mazhoranca argumenton se demokracia në vend është konsoliduar dhe se ky mekanizëm nuk është më i nevojshëm, duke e cilësuar si një kosto të panevojshme për qytetarët.

Nga ana tjetër, opozita ka kundërshtuar ndryshimet, duke ngritur shqetësime për procesin zgjedhor dhe mungesën e konsensusit politik.

Pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve, modeli i qeverisë teknike nuk do të aplikohet më në zgjedhjet e ardhshme pas këtij cikli, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në sistemin politik të vendit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu