
Detaje të reja kanë dalë nga sulmi ndaj presidentit Donald Trump, ku vetë autori i dyshuar, Cole Allen, ka evidentuar dobësitë në sistemin e sigurisë.
Në manifestin e tij, Allen thekson se ka mundur të transportojë armët pa pengesa, duke udhëtuar me tren pa asnjë kontroll mbi bagazhin. Më pas, ai është akomoduar në hotelin ku zhvillohej eventi, duke shmangur kontrollet dhe duke pasur akses relativisht të lehtë në ambientet e brendshme.
Një nga elementët më kritikë të evidentuar është mungesa e verifikimit të identitetit dhe kontrollit të rezervimeve në hyrje të hotelit, çka ka krijuar mundësi për infiltrimin e personave të paautorizuar në një event me prani të lartë zyrtarësh.
Po ashtu, hetimet paraprake flasin për një “zonë gri” sigurie mes perimetrit të jashtëm dhe pikës së kontrollit kryesor, ku niveli i mbikëqyrjes ka qenë më i ulët. Dyshohet se pikërisht në këtë hapësirë autori ka marrë armët dhe më pas ka vrapuar drejt pikës së kontrollit.
Allen ka shprehur edhe habinë për mungesën e kamerave të sigurisë në disa zona të hotelit, duke shtuar dyshimet për boshllëqe në monitorim.
Megjithatë, autoritetet amerikane theksojnë se ndërhyrja e shpejtë e forcave të sigurisë ka funksionuar siç duhet, duke neutralizuar autorin përpara se të arrinte pranë objektivave kryesore.
Ngjarja ka hapur një debat të fortë në SHBA mbi efektivitetin e masave të sigurisë në evente të nivelit të lartë dhe nevojën për rishikimin e protokolleve për mbrojtjen e liderëve politikë.






