
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë një goditje të fortë në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe krim të organizuar, duke sekuestruar pasuri me vlerë mbi 40 milionë euro.
Hetimet përfshijnë Ergys Agasin, Ermal Beqirajn dhe ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, për një sërë veprash penale që lidhen me korrupsionin, tenderat publikë dhe pastrimin e parave.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme, janë sekuestruar dhjetëra prona dhe asete, përfshirë apartamente, vila, sipërfaqe të mëdha toke dhe pyjesh, automjete luksoze, llogari bankare dhe aksione në kompani të ndryshme.
Ndër pasuritë e sekuestruara përmenden prona në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e Petrelës dhe Lundrës, si dhe mjete lundruese, përfshirë një jaht.
Po ashtu, janë sekuestruar shuma të mëdha parash në llogari bankare dhe në subjekte tregtare, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.
Sipas SPAK, procedimi penal përfshin akuza si korrupsion, grup i strukturuar kriminal, konkurrencë e paligjshme dhe pastrim parash.
Autoritetet bëjnë me dije se operacioni është realizuar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të çështjes dhe konfiskimin përfundimtar të pasurive.






