
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë vendimin për një nga ngjarjet më të rënda kriminale në Kosovë, duke dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën për vrasjen e Liridona Ademajt.
Ndërkohë, i akuzuari tjetër, Kushtrim Kokalla, është dënuar me 30 vite burg për ndihmë në kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”.
Vendimi u shpall nga gjyqtarja Fatime Dermaku, e cila theksoi se Murseli dhe Plava janë shpallur fajtorë për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, ndërsa Kokalla për bashkëpunim në këtë krim.
Ngjarja tragjike ndodhi më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës, ku Liridona Ademaj u vra me armë zjarri, ndërsa ndodhej në makinë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e mitur.
Sipas Prokurorisë, vrasja ishte planifikuar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, me qëllim përfitimin nga sigurimi jetësor në vlerë rreth 260 mijë euro.
Hetimet zbuluan se Granit Plava ishte autor i ekzekutimit, ndërsa Kokalla kishte ndërmjetësuar kontaktin mes tyre. Sipas akuzës, vrasja ishte kryer në këmbim të një shume parash.
Të dënuarit nuk ishin të pranishëm në sallë gjatë shpalljes së vendimit, pasi kishin refuzuar të merrnin pjesë në seancë.
Ky vendim shënon një moment të rëndësishëm për drejtësinë në Kosovë, pas një procesi gjyqësor të gjatë dhe të ndjekur me vëmendje të lartë publike.






