
Zv.kryeministrja Albana Koçiu u takua me banorët e pallatit të përfshirë nga zjarri pranë zonës “Farmacia 10” në Tiranë, duke u dhënë garanci për mbështetje financiare. Ajo theksoi se familjet e prekura do të përfitojnë bonus qiraje deri në rindërtimin e plotë të godinës, duke u siguruar që askush të mos mbetet pa strehim.
Ndërkohë, zhvillimet në planin hetimor kanë marrë një tjetër drejtim. Gjykata e Tiranës vendosi lirimin e katër të arrestuarve, ndërsa Prokuroria ndryshoi akuzën në “zjarrvënie nga pakujdesia”, duke përjashtuar për momentin elementët e përgjegjësisë së drejtpërdrejtë të ndërtuesit.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga disa fëmijë që ndezën kartonë të lënë jashtë një marketi në katin përdhes. Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e administratorëve dhe subjekteve të përfshira në kompleks.



