
Përfaqësues të Partisë Demokratike të Shqipërisë kanë njoftuar zhvillimin e një proteste më 17 prill, nga ora 19:00 deri në 22:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë.
Policia e Shtetit bën të ditur se ka marrë masa për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjes së tubimit, ndërsa paralajmëron kufizime të forta të qarkullimit në disa akse kryesore të kryeqytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 23:45 e datës 16 prill deri në përfundim të protestës, do të bllokohet lëvizja dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.
Ndërkohë, nga ora 15:00 e datës 17 prill, deri në përfundim të tubimit, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në segmentin nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia apelon për organizatorët që të respektojnë orarin dhe vendin e përcaktuar për tubimin, ndërsa kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimet në lëvizje.
Gjithashtu, autoritetet u bëjnë thirrje pjesëmarrësve të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike.



