
Sterilizimi dhe kastrimi i kafshëve shtëpiake mbetet një ndër ndërhyrjet më të rëndësishme për shëndetin e tyre, por shpesh kërkohet që të bëhet në kohën e gabuar nga pronarët.
Mjekja veterinere Eni Zemani, nga Klinika “4 Zampe” në Tiranë, shpjegon se dy janë arsyet kryesore pse rekomandohet sterilizimi: shëndeti hormonal i kafshës dhe kontrolli i mbiriprodhimit.
“Dy arsyet kryesore pse ne sugjerojmë sterilizimin janë arsyeja shëndetësore dhe ajo e mbi-riprodhimit”, thekson ajo. (Instagram)
Sipas saj, një nga gabimet më të shpeshta që bëjnë pronarët është kërkesa për sterilizim para afshit.
“A mund ta sterilizoj kafshën pa ardhur në afsh? Sigurisht që jo. Kafsha nuk është e pjekur seksualisht”, shprehet Zemani.
View this post on Instagram
Veterinerja sqaron se momenti i duhur për ndërhyrje është vetëm pas përfundimit të ciklit.
“Në mbarimin e ciklit të afshit sugjerohet të niset sterilizimi”, thotë ajo.
Ajo thekson gjithashtu se nuk ka një moshë fikse për të gjitha kafshët.
“Kemi pasur raste që kafsha ka ardhur në afsh edhe në muajin e katërt, por edhe raste kur cikli vonohet mbi një vit. Nuk kemi një moshë të prerë për të vendosur”, shpjegon Zemani.
Sipas saj, mungesa e sterilizimit dhe kastrimit sjell pasoja serioze.
“Nëse një kafshë nuk sterilizohet, përveç mbi-riprodhimit, ne shohim probleme hormonale si piometra, tumore dhe mastite. Tek meshkujt ka edhe infeksione dhe bllokime të kanaleve urinare”, paralajmëron ajo.
Veterinerja nënvizon se këto janë probleme që ndikojnë drejtpërdrejt në jetëgjatësinë e kafshës, ndaj vendimi duhet marrë gjithmonë në konsultë me specialistin.






