
Një operacion policor i koduar “Wrong way” ka çuar në goditjen e një rasti të kontrabandës së mallrave në Tiranë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Tiranë kanë arrestuar në flagrancë një 26-vjeçar, i identifikuar me inicialet R. K., banues në Korçë, i cili transportonte me furgon veshje të dyshuara si të kontrabanduara.
Arrestimi u bë në aksin rrugor “Elbasan–Tiranë”, ku i riu u kap duke transportuar 19 thasë me veshje të markave të imituara, pa dokumentacion shoqërues.
Sipas policisë, vlera e mallrave të sekuestruara shkon rreth 45 mijë euro, ndërsa në cilësinë e provës materiale u bllokuan edhe veshjet dhe mjeti me të cilin po transportoheshin.
Operacioni erdhi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, në kuadër të punës për goditjen e kontrabandës dhe krimit ekonomik.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht këtë aktivitet të paligjshëm dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.



