Ngjarja e ndodhur në Vlorë, ku një qen i racës pitbull kafshoi një të mitur, ka hapur një debat të fortë mes sigurisë publike dhe trajtimit të kafshëve. Vajza ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe ka lënë spitalin, por ende nuk dihet zyrtarisht fati i kafshës, për të cilën dyshohet se i është bere eutanazi.

Rasti ka sjellë reagimin e shoqatave për mbrojtjen e kafshëve, ndërsa avokatja Adriana Kalaja ka depozituar kallëzim në Prokurorinë e Vlorës ndaj bashkisë dhe shërbimeve veterinare, duke i akuzuar për keqtrajtim të kafshëve dhe mungesë të një strategjie të qartë për menaxhimin e qenve endacakë.

Animalistët kanë ngritur shqetësime për mënyrën si trajtohen këto raste në Shqipëri, duke bërë krahasime me praktikat në vende si Italia, ku sipas tyre ekzistojnë politika më të strukturuara për kontrollin dhe mbrojtjen e kafshëve.

Nga ana tjetër, banorët e Vlorës kërkojnë masa të menjëhershme nga autoritetet, duke theksuar se prania e qenve të rrugës përbën rrezik për sigurinë publike. Ata kërkojnë ndërhyrje konkrete për të shmangur ngjarje të ngjashme në të ardhmen.

Debati mbetet i hapur mes nevojës për mbrojtjen e qytetarëve dhe respektimit të të drejtave të kafshëve, ndërsa presioni ndaj institucioneve për zgjidhje efektive vijon të rritet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu