
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ngriti akuza të forta në Kuvend ndaj kompanisë së përpunimit të qumështit LUFRA, duke pretenduar se ajo po dëmton rëndë blegtorët vendas dhe po refuzon të marrë prodhimin e tyre.
Gjatë interpelancës me ministrin e Bujqësisë, Braçe lexoi publikisht mesazhe të dërguara nga fermerë të zonës së Bubullimës, të cilët ankohen se po mbeten pa treg për qumështin dhe se po detyrohen ta hedhin atë në kanal. Sipas tij, pas denoncimeve publike, kompania është bërë edhe më e ashpër, duke refuzuar grumbullimin e qumështit.
Deputeti socialist e lidhi situatën me një fushatë që, sipas tij, është ndërmarrë për të diskredituar prodhimin vendas, përmes pretendimeve për prani aflatoksine në qumësht. Ai theksoi se këto akuza nuk janë të mbështetura nga laboratorët shtetërorë të akredituar, si AKU dhe ISUV, por nga analiza të kryera në laboratorë privatë.
Braçe deklaroi se nga dhjetori deri në mars janë evidentuar vetëm pak raste me aflatoksinë, ndërsa ngriti shqetësimin se fushata ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta për fermerët: ulje çmimi, refuzim të produktit dhe rritje kostosh për trajtimin e bagëtive.
Ai shtoi se, ndërkohë që fermerët përballen me humbje, kompanitë vazhdojnë aktivitetin normal dhe përfitojnë nga tregu, duke krijuar një pabarazi të theksuar mes prodhuesit të vogël dhe industrisë së përpunimit.
Braçe kërkoi që çdo vlerësim për cilësinë e qumështit të bëhet vetëm nga institucionet shtetërore dhe jo nga laboratorë privatë, ndërsa paralajmëroi se situata rrezikon të çojë në falimentimin e blegtorëve vendas nëse nuk ndërhyhet.



