
Bordi i Transparencës ka vendosur këtë të enjte çmimet e reja tavan për karburantet në vend, duke reflektuar një ulje të lehtë krahasuar me ditët e fundit.
Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin (naftën) do të jetë 210 lekë për litër, ndërsa për shitjen me shumicë 198 lekë/litër. Ndërkohë, benzina do të shitet me jo më shumë se 173 lekë për litër në pakicë dhe 161 lekë/litër në shumicë.
Çmimet e reja hynë në fuqi sot, më 9 prill, në orën 14:30 dhe do të mbeten të vlefshme deri në një vendim të ri të Bordit.
Autoritetet paralajmërojnë operatorët e tregtimit të karburanteve për zbatim të detyrueshëm të këtij vendimi, duke theksuar se çdo shkelje do të ndëshkohet deri në pezullim të aktivitetit.
Në sqarimin zyrtar theksohet se çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr.1 i datës 3 prill 2026, çka do të thotë se akciza do të zbatohet në nivel të plotë, 100%, dhe jo e reduktuar.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe atë të Infrastrukturës dhe Energjisë, deklarojnë se janë të angazhuara për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.





