
Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për një skemë të re mashtrimi që po qarkullon përmes mesazheve SMS, këtë herë në emër të platformës e-Albania, ku qytetarëve u kërkohet të paguajnë gjoja gjoba të automjeteve.
Sipas njoftimit zyrtar, mesazhet përmbajnë linke të falsifikuara që imitojnë faqet shtetërore dhe synojnë të vjedhin të dhënat personale dhe bankare të përdoruesve. Skema është e ngjashme me mashtrimet e mëparshme në emër të Postës Shqiptare, për të cilat tashmë ka kallëzime dhe hetime në vijim nga strukturat e krimit kibernetik.
Autoritetet theksojnë se këto mesazhe nuk kanë asnjë lidhje me e-Albania apo institucionet shtetërore dhe janë pjesë e një skeme të mirëorganizuar mashtrimi.
Policia u bën thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien pre e këtyre tentativave, duke shmangur klikimin në linke të dyshimta dhe dhënien e të dhënave sensitive.
Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe goditjen e autorëve, ndërsa qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo rast të dyshimtë pranë autoriteteve përkatëse.




