
Partia Demokratike i ka kërkuar Kuvendit që të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar propozimin e saj për uljen e çmimit të naftës, duke e cilësuar këtë si një masë emergjente për të lehtësuar barrën ekonomike mbi qytetarët.
Në shkresën e firmosur nga 36 deputetë, opozita kërkon që projektligji të përfshihet në seancën plenare të 16 prillit. Sipas PD-së, një nga arsyet kryesore të çmimit të lartë të karburanteve është niveli i lartë i taksës së qarkullimit, e cila bashkë me TVSH-në përbën një pjesë të konsiderueshme të çmimit final.
Propozimi parashikon vendosjen e një akcize të ndryshueshme për lëndët djegëse, ku TVSH-ja e mbledhur nga rritja e çmimeve do të përdoret për të ulur akcizën e naftës. Sipas demokratëve, nëse kjo skemë do të ishte në fuqi, çmimi i naftës nuk do të kalonte 180 lekë për litër.
Projektligji, i titulluar “Për mekanizimin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe çmimeve të lëndëve djegëse”, synon krijimin e një kuadri të posaçëm ligjor për përballimin e krizave në sektorin e hidrokarbureve, të ndikuara nga zhvillimet gjeopolitike, veçanërisht në Lindjen e Mesme.
PD thekson se nisma ka karakter urgjent dhe synon mbrojtjen e interesit publik, duke kërkuar përfshirjen e saj në kalendarin e punimeve të Kuvendit me procedurë të përshpejtuar.






