
Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të shitjes së karburanteve në tregun vendas, të cilat kanë hyrë në fuqi këtë të martë, më 8 prill, në orën 15:30.
Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 është caktuar jo më shumë se 220 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë jo më shumë se 208 lekë për litër.
Ndërkohë, për benzinën, çmimi maksimal me pakicë është vendosur 181 lekë për litër dhe 169 lekë për litër në shitjen me shumicë.
Autoritetet bëjnë me dije se këto çmime do të jenë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e reja në treg.
Bordi i Transparencës ka paralajmëruar operatorët që të zbatojnë detyrimisht këtë vendim, duke theksuar se në rast shkeljesh do të merren masa, deri në pezullimin e aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe atë të Infrastrukturës dhe Energjisë, thekson se synimi është mbrojtja e konsumatorëve dhe garantimi i konkurrencës së ndershme në treg.






