
Kryeministrja italiane ka reaguar ashpër ndaj disa mediave italiane, pasi këto të fundit publikuan një foto ku ajo shfaqet me një person të lidhur me kriminalitetin e organizuar.
Meloni i cilësoi publikimet si një sulm politik dhe jo gazetari, duke akuzuar se po tentohet të krijohet artificialisht një lidhje mes saj dhe botës së krimit. Sipas saj, fotografia është shkrepur në një kontekst publik, si shumë të tjera që politikanët bëjnë me qytetarë.
Në reagimin e saj në rrjetet sociale, ajo theksoi se ka ndërprerë çdo marrëdhënie me të atin që në moshën 11-vjeçare, duke hedhur poshtë çdo insinuatë për lidhje familjare me aktivitete kriminale.
“Ky nuk është gazetari, por politikë. Po përdoret çdo mjet për të hedhur baltë”, u shpreh Meloni, duke shtuar se angazhimi i saj kundër mafias ka qenë i vazhdueshëm dhe i qartë gjatë gjithë karrierës politike.
Ajo gjithashtu mbrojti veprimet e qeverisë së saj në luftën kundër krimit të organizuar, duke theksuar se janë ndërmarrë masa të forta për arrestimin dhe mbajtjen në burg të figurave kriminale.



