
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar ekonominë shqiptare si një “mollë të kalbur nga brenda”.
Sipas saj, pas 12 vitesh qeverisje, shqiptarët vazhdojnë të kenë të ardhurat më të ulëta në rajon, ndërsa rritja ekonomike nuk reflektohet në jetën reale të qytetarëve.
Tabaku thekson se rritja vjen kryesisht nga ndërtimi dhe zgjerimi i shtetit, ndërsa bujqësia dhe industria janë në rënie të vazhdueshme.
Ajo nënvizon se shteti po mbledh më shumë të ardhura nga pagat dhe kontributet, duke rënduar mbi shtresën e mesme dhe profesionistët, ndërkohë që ekonomia reale nuk po zgjerohet.
Në të njëjtën kohë, deputetja paralajmëron se çmimet e larta të banesave dhe qirave po e bëjnë jetën të papërballueshme për familjet e reja, edhe kur kanë dy të ardhura.
Një tjetër problem, sipas saj, është mungesa e konkurrencës dhe dominimi i tregut nga pak aktorë, që mbajnë çmimet artificialisht të larta.
Por akuza më e fortë lidhet me korrupsionin, të cilin Tabaku e cilëson si sistem.
Sipas saj, investimet nuk shkojnë aty ku ka nevojë ekonomia, por aty ku ka interesa të ngushta, duke deformuar gjithë tregun dhe duke favorizuar një pakicë në kurriz të shumicës.
“Nuk kemi një ekonomi që prodhon, por një ekonomi që takson më shumë ata që punojnë”, thekson Tabaku.
Në përfundim, ajo kërkon një model të ri ekonomik që mbështetet te prodhimi, konkurrenca dhe mirëqenia reale e qytetarëve, duke paralajmëruar se modeli aktual është thjesht një “fasadë” që nuk mund të zgjasë.






