
Vllaznia mori një fitore të madhe në kryeqytet, duke mposhtur 2-0 Partizani në javën e 30-të të Superiores. Protagonisti absolut ishte Kevin Dodaj, i cili realizoi një dopietë në pjesën e dytë pasi u aktivizua nga stoli, duke i dhënë tri pikë të arta skuadrës shkodrane.
Pavarësisht dominimit të Partizanit në pjesën e parë, vendasit nuk arritën të konkretizonin rastet, duke u ndëshkuar më pas nga efikasiteti i miqve. Me këtë fitore, Vllaznia shkëputet në krye të renditjes me 56 pikë, ndërsa Partizani mbetet në vendin e katërt me 44 pikë.
Në sfidën tjetër, Egnatia fitoi bindshëm 3-0 ndaj Bylis, duke zgjidhur gjithçka në pjesën e dytë. Rrogozhinasit ngjiten në vendin e dytë me 54 pikë, ndërsa Bylis mbetet në vendin e shtatë me 30 pikë.
Gara për titullin në Superiore bëhet gjithnjë e më e fortë, me diferenca të ngushta mes skuadrave kryesuese.





