
Greqia ka hyrë në një fazë të re të kontrollit rrugor, duke përdorur inteligjencën artificiale për monitorimin dhe ndëshkimin e shkeljeve në trafik. Që prej 28 marsit, në Athinë janë vendosur kamerat e para inteligjente në pika kyçe dhe në autobusët urbanë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë zgjerimin e sistemit me rreth 3,000 pajisje të tjera në të gjithë vendin deri në fund të vitit 2026.
Sistemi i ri funksionon plotësisht i automatizuar dhe eliminon nevojën për prani fizike të policisë. Teknologjia është në gjendje të identifikojë targën, modelin dhe ngjyrën e automjetit, duke gjeneruar automatikisht gjobën që u dërgohet drejtuesve të mjeteve përmes telefonit ose e-mailit.
Të dhënat paraprake tregojnë një efikasitet shumë të lartë të këtij sistemi. Vetëm gjatë fazës testuese, një pajisje e vetme ka regjistruar dhjetëra mijëra shkelje, kryesisht kalime me dritë të kuqe.
Për turistët dhe vizitorët e huaj, përfshirë edhe shqiptarët që udhëtojnë drejt Greqisë, kjo do të thotë kontroll më i rreptë dhe ndëshkime të menjëhershme për çdo shkelje, veçanërisht për semaforin e kuq dhe rregullat e sigurisë rrugore. Autoritetet greke synojnë përmes kësaj teknologjie të rrisin ndjeshëm sigurinë në rrugë dhe të reduktojnë aksidentet.






