
Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend një kërkesë për ngritjen e një Komisioni Hetimor lidhur me çështjen e AKSHI-t, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.
Sipas opozitës, rastet e përsëritura të rrjedhjes së të dhënave dhe përdorimi i infrastrukturës shtetërore nga kompani me interesa të dyshimta përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare. PD thekson se këto zhvillime e vendosin Shqipërinë në një pozitë të cenueshme edhe përballë detyrimeve që ka si vend anëtar i NATO-s.
Në kërkesën e depozituar, opozita kërkon që Kuvendi të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të analizojë në detaje procedurat, administrimin dhe kontrollin e sistemeve kritike digjitale, duke theksuar se kjo çështje nuk mund të anashkalohet më.





