
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka ngritur alarmin në Kuvend lidhur me çështjet e sigurisë kombëtare, duke kërkuar praninë urgjente të kryeministrit Edi Rama për të dhënë shpjegime mbi paralajmërimin e SHBA për kërcënime të mundshme nga grupe të lidhura me Iranin.
Në fjalën e tij, Bardhi kritikoi ashpër qëndrimin e qeverisë, duke e cilësuar reagimin si të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm për marrëdhëniet me aleatin strategjik.
“Çështjet e sigurisë kombëtare nuk janë as çështje Twitter-i dhe as kafenesh. Përpjekja për të diskredituar informacionin zyrtar të SHBA-ve e bën Shqipërinë qesharake në rastin më të mirë dhe të pasigurt në rastin më të keq,” u shpreh ai.
Bardhi theksoi se opozita nuk ka informacion të plotë mbi situatën, por paralajmëroi se minimizimi i sinjaleve nga SHBA mund të dëmtojë seriozisht besimin mes partnerëve në NATO.
Ai kërkoi që kryeministri të paraqitet në Kuvend dhe të japë përgjigje për disa çështje kyçe, përfshirë arsyen pse paralajmërimi i SHBA u cilësua si “hamendësim”, nivelin e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë dhe masat konkrete të marra për garantimin e sigurisë.
Kreu i grupit të PD theksoi gjithashtu se, sipas rregullores së Kuvendit, kryeministri ka detyrimin të jetë i pranishëm në seancë kur kërkohet nga deputetët.



