
Një deklaratë e fortë ka ardhur nga babai i Ervis Martinajt, i cili për herë të parë ka folur publikisht mbi fatin e djalit të tij. Mustafa Martinaj pretendon se i biri është ekzekutuar në Durrës, ndërsa akuzon institucionet për mungesë hetimi.
Ai u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme, ku ishte planifikuar një seancë për çështjen e pasurive të Ervis Martinajt, por seanca nuk u zhvillua për shkak të mungesës së prokurorëve.
Jashtë ambienteve të gjykatës, pa praninë e kamerave, Martinaj ka bërë deklarata të drejtpërdrejta për zhdukjen e djalit të tij.
“Të gjithë e dinë për djalin tim. Vetëm SPAK-u dhe mediat nuk e dinë. Djali më është ekzekutuar në Durrës. Kam ardhur vetë në SPAK, por nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë kaluar Prokurorisë së Kurbinit,” është shprehur ai.
Mustafa Martinaj shtoi se nuk ka më mundësi fizike dhe psikologjike për të ndjekur më tej çështjen, duke theksuar se është invalid dhe ka kaluar disa ndërhyrje shëndetësore.
Ai ka kritikuar gjithashtu SPAK-un, duke e akuzuar se merret me çështje të vogla dhe jo me ato që, sipas tij, kanë rëndësi të madhe.
Çështja e zhdukjes së Ervis Martinajt, i njohur si “bosi i lojërave të fatit”, mbetet ende pa një përgjigje zyrtare, ndërsa deklaratat e familjarëve rikthejnë në vëmendje një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit.



