
Higjiena orale mbetet një nga aspektet më të anashkaluara në kujdesin për kafshët shtëpiake. Veterinerja Eni Zemani, nga Klinika “4 Zampe”, thekson se pronarët shpesh nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur kësaj pjese thelbësore të shëndetit.
“Higjiena orale gjithmonë është tema më pak e prekur. Gjithmonë është pyetja më pak që bëhet nga pjesa e pronarëve të kafshëve”, shprehet ajo.
Sipas Zemanit, kujdesi për dhëmbët duhet të nisë që në muajt e parë të jetës së kafshës, pasi lidhet drejtpërdrejt me jetëgjatësinë e saj.
View this post on Instagram
“Kafsha duhet të fillojë kulturën e higjienës orale që në muajt e parë të jetës… kjo lidhet me jetëgjatësinë e kafshës”, thekson veterinerja.
Ajo paralajmëron se problemet në gojë nuk mbeten të izoluara, por ndikojnë edhe në organet e brendshme.
“Kariesi dhe inflamacioni i mishrave të dhëmbëve na japin probleme edhe në brendësi të organizmit, përfshirë sistemin renal”, shpjegon Zemani.
Për mirëmbajtjen e përditshme, ajo rekomandon përdorimin e produkteve të posaçme dhe sa më natyrale.
“Patjetër që preparatet e posaçme si pasta, xhelëra dhe spraj janë të domosdoshme. Personalisht preferoj linjën bimore… janë më pak toksike sesa produktet kimike”, thotë ajo.
Një alternativë më e butë dhe praktike për pastrimin e dhëmbëve mbetet fingerwipe.
“Midis furçës me qime sintetike dhe një fingerwipe-si, do zgjidhja këtë të fundit, sepse është shumë herë më e butë dhe më e lehtë për pastrimin e dhëmbëve dhe gingivave”, shton veterinerja.

Sa i përket ndërhyrjeve më të avancuara, Zemani nuk rekomandon përdorimin e shpeshtë të anestezisë për heqjen e gurëzave.
“Nuk jemi fansë të heqjes së gurëzave herë pas here, sidomos me anë të anestezisë. Sa më herët të nisë mirëmbajtja, aq më pak nevojë ka për ndërhyrje të tilla”, thekson ajo.
Megjithatë, në rastet më të rënda, ndërhyrja mbetet e domosdoshme për të shmangur komplikacionet.
“Ka edhe raste ekstreme, si rënia apo heqja e dhëmbëve, që duhen trajtuar, pasi inflamacioni mund të kalojë në organe të tjera të organizmit”, përfundon veterinerja.



