
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se protesta e 22 marsit ka pasur jehonë të gjerë në mediat ndërkombëtare, ndërsa paralajmëroi vijimin e aksionit opozitar me forma të reja.
Në një konferencë për mediat, Berisha u shpreh se reagimi qytetar kundër qeverisë është pasqyruar gjerësisht jashtë vendit, duke e cilësuar protestën si një moment të rëndësishëm për opozitën. Sipas tij, aksioni do të vazhdojë në atë që ai e quajti “kryengritje paqësore”, ndërsa data dhe forma e protestës së radhës do të bëhen publike së shpejti.
“Protesta e 22 marsit pati jehonë të jashtëzakonshme europiane dhe botërore. Zëri i qytetarëve shqiptarë u dëgjua kundër korrupsionit dhe qeverisjes aktuale”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se, sipas tij, “vullneti dhe dinjiteti i qytetarëve nuk mund të vihen nën kontroll”, duke ftuar shqiptarët të marrin pjesë në protestat e ardhshme.
Gjatë deklaratës, Berisha dërgoi një mesazh mbështetjeje për të burgosurit që ai i cilësoi si “politikë”, ndërsa përmendi edhe ish-presidentin Ilir Meta, të cilit i uroi ditëlindjen.
Po ashtu, kryedemokrati hodhi akuza për intimidim ndaj Metës në ambientet e paraburgimit, duke pretenduar se pas këtyre veprimeve qëndrojnë struktura të lidhura me qeverinë.
Në pjesën e pyetjeve, Berisha komentoi edhe nismën e mazhorancës për referendumet dhe reduktimin e numrit të deputetëve, duke theksuar se opozita nuk do të mbështesë ligje të njëanshme të Partisë Socialiste.
“Ne nuk votojmë asnjë ligj të njëanshëm të PS-së”, u shpreh ai, duke e cilësuar nismën për uljen e numrit të deputetëve si një përpjekje për të shmangur vëmendjen nga problematika të tjera.



