Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngritur alarmin për lëvizjet e fundit të ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, duke i cilësuar ato si provokime të rrezikshme dhe pjesë e një strategjie presioni ndaj rajonit.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kurti deklaroi se demonstrimi i forcës ushtarake serbe në zonat pranë Bujanocit, shumë afër kufirit me Kosovën, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe sigurinë.

Sipas tij, manovrat përfshijnë stërvitje të brigadës së 63-të të parashutistëve në zonën e Karaqevës, me përdorimin e helikopterëve H-145M dhe hedhje me parashutë vetëm pak metra nga kufiri.

“Këto lëvizje janë alarmuese, sidomos kur kemi parasysh se e njëjta njësi ka trajnuar grupin e Milan Radoiçiç, përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku”, u shpreh Kurti.

Ai theksoi se kombinimi i këtyre manovrave me retorikën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe armatosjen e vazhdueshme me pajisje ruse e kineze tregon se Serbia po përdor ushtrinë si mjet presioni dhe shantazhi për të mbajtur tensionet në Ballkan.

Kryeministri u bëri thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës të mos bien pre e provokimeve, ndërsa siguroi se institucionet e Kosovës janë në gatishmëri të plotë për çdo skenar.

Në të njëjtën kohë, Kurti kërkoi reagim nga komuniteti ndërkombëtar, duke theksuar se kjo qasje destabilizuese e Serbisë rrezikon paqen dhe sigurinë në rajon.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu